0
Posted September 3, 2014 by ArmendZeqiri in Sport
 
 

Portugalia vuan pa Ronaldon, ja si ndalen luzitanët

Loading...

Ne qoft se nuk ju hapet video Kliko Ketu WwW.Tvseriale.Ch



0Gjashtë vite më parë Shqipëria ndalte Ronaldon në shtëpinë e tij. Jo në një ndeshje dosido, por në një takim ku kuqezinjtë luajtën për 50 minuta me 1 lojtar më pak, pas daljes së Telit me të kuq. “Ishte një nga ato ndeshje që nuk mund t’i harrosh. Një ndeshje me shumë karakter…”, tregon Arjan Beqaj për “Panorama Sport”.

Ish-portieri i Shqipërisë ka qenë protagonist absolut në atë takim dhe pengun e vetëm ka pasimin e munguar të Besart Berishës për Ervin Skelën në fundin e takimit, sepse Shqipëria mund të kishte dalë edhe me tri pikë. “Tani kanë ndryshuar shumë gjëra dhe mendoj se mungesa e Ronaldos do të ndihet tek ata (portugezët).

Nuk po them se jemi ne favoritët, por ama Ronaldo për ta është një pikë referimi”, shton Beqaj. Në prag të sfidës me luzitanët, ai u jep një mesazh të qartë lojtarëve të Kombëtares, në veçanti atyre që janë afruar së fundmi.

Arjan, sa herë e kujtoni barazimin 0-0 kundër Portugalisë?
Shpesh. E kujtoj me gëzim, sepse kemi marrë një rezultat historik, por e kujtoj edhe me pak dhimbje, sepse pas asaj ndeshjeje kam pësuar një dëmtim ku nisi edhe kalvari i vuajtjeve të mia që më pas sollën edhe largimin nga Kombëtarja.

A mund ta ndalim sërish Portugalinë në fushën e saj?
Po, mendoj se po. Duhet të kuptojmë se diferencat janë zvogëluar disi mes skuadrave dhe shohim gjithnjë e më shpesh skuadra të vogla që surprizojnë.

Tani që e mendoni më me qetësi, cili ishte çelësi i suksesit të atij barazimi me një lojtar më pak kundër Portugalisë?
Karakteri i skuadrës. Pas daljes me të kuq të Telit skuadra u mobilizua aq shumë, saqë rrallëherë e kam parë ekipin aq të vendosur dhe aq të bindur në vetvete se mund të merrnin pikë. Aty u shfaq karakteri më i fortë i Kombëtares sonë dhe në mos gaboj arritëm të merrnim rezultatin e parë pozitiv kundër një skuadre të madhe si Portugalia, por në disfavor numerik. Nuk kishte ndodhur më parë.

Pra, ju thoni se ishte vetëm çështje karakteri dhe jo skemash apo fati?
Nuk mund t’i nënvlerësoj edhe elementët e tjerë, por më shumë mendoj se gjithçka erdhi prej një sakrifice të paimagjinueshme dhe një shpirti luftarak tamam prej skuadre. E përsëris, pak herë i kam parë të gjithë lojtarët në fushë që të kenë aq shumë besim se mund të marrin atë që duan. Në atë ndeshje e shikoja këtë gjë dhe u binda se, nëse Shqipëria në një edicion do t’i luante ashtu të gjitha ndeshjet, mund të bënte arritje të mëdha.

Po Shqipëria e sotme si ju duket?
Një skuadër me alternativa. Me cilësi të mira, por duhet kolauduar.

Sa larg mund të shkojmë?
Varet. Kemi një grup të vështirë, shumë të vështirë. Por, gjithsesi, po të luhet në grup dhe po të sakrifikojmë gjithnjë aq sa mundemi, atëherë mund të jemi ne surpriza.

Si do ta vlerësonit edicionin e kaluar?
Befasues.

Për mirë apo për keq?
Për mirë pa diskutim. Kombëtarja ndërroi një brez të tërë futbollistësh dhe kjo nuk është e lehtë për t’u kaluar as nga ekipe më të mëdha dhe me më shumë kualitet. E nisëm mirë dhe mendoj se morëm një numër pikësh të kënaqshëm, duke marrë parasysh ndryshimet e shumta që u bënë.

Sa mund të ndikojë mungesa e Ronaldos në ndeshjen kundër Shqipërisë?
Shqipëria duhet të luftojë shumë për të dalë me pikë, sepse Portugalia është e rrezikshme edhe pa Ronaldon. Megjithatë, t’i themi gjërat hapur: Ronaldo ka një peshë të madhe te luzitanët. Ai është pikë referimi në atë skuadër, ndaj është edhe lojtari më i paguar në botë, së bashku me Mesin. Është i tillë, sepse mund ta zgjidhë një ndeshje edhe i vetëm. Do të ndihet mungesa e tij, edhe në aspektin psikologjik. Tani portugezët e dinë mirë se duhet të vrapojnë më shumë dhe të luftojnë më shumë për të na mundur.

A keni ndonjë peng nga barazimi 0-0?
Hëmmm… Kam ende në mendje pasimin e munguar të Besart Berishës në një kundërsulm. Skela ishte i vetëm përballë portierit. Do të kishte qenë kryevepër nëse fitonim me 10 lojtarë.

Çfarë duhet të bëjmë për të marrë sërish pikë?
Duhet qetësi dhe vendosmëri. Duhet qetësi, pasi nuk duhet të na kapë paniku nga sulmet apo nga cilësitë e tyre. Çdo minutë që kalon, është në disavantazhin e tyre dhe jo tonin. Por, e përsëris: duhet shumë karakter.

Çfarë mendoni kur shikoni Etrit Berishën në portë?
Shqipëria është me fat që e ka një portier të tillë. Të jep shumë siguri, por është me fat që ka edhe një si Shehi. Ai është i madh në moshë, por është ekspert dhe babaxhan. Di të sillet edhe në dhomat e zhveshjes dhe De Biazi e di mirë se lojtarë me kaq eksperiencë duhen kur bën kaq shumë ndryshime.

Pas largimit të Ujkanit, portieri i tretë kush mund të jetë sipas jush?
Mund të ketë disa. Unë kam Aldo Teqjan këtu tek Anorthosisi, ku punoj si trajner portierësh. Mund të jetë ai një alternativë, por edhe Thomas Strakosha gjithashtu. Megjithatë, më duhet të them se Shqipëria nuk është nga ato skuadra që e ka luksin të privohet nga një si Ujkani.

Që do të thotë?
E kam fjalën për cilësitë, eksperiencën dhe moshën. Ujkani është realisht portier cilësor dhe mund t’i bëjë punë Shqipërisë. Duhet të jemi të kujdesshëm me të rinjtë.

Si ju duket reparti i sulmit?
Kapllani me Salihin do të kenë peshën kryesore, por kam besim tek ata.

Pse keni kaq besim kur asnjëri prej tyre nuk është në kulmin e vet të karrierës?
Sepse e njohin mirë ekipin përfaqësues dhe dinë të mbajnë presionin. Por, mbi të gjitha, sepse janë edhe sulmues të aftë. Nuk mund t’u kërkojmë të bëjnë mrekulli në një skuadër si Shqipëria që është e limituar shpesh në cilësitë e lojës. Duhet të jemi të ndershëm dhe t’i pranojmë edhe ato që nuk na pëlqejnë.

Sa i mungon Shqipërisë një si Bogdani?
I mungon shumë. U bë kohë që Shqipëria nuk ka më lojtarë të kalibrit të Bogdanit apo Tares. Nuk ka më një “pykë” të mirëfilltë. Pata shpresa të mëdha te Çani, por në mënyrë të pabesueshme ka pasur probleme të vazhdueshme. Të rinjtë duhet të bëjnë kujdes sot.

Në ç’kuptim duhet të bëjnë kujdes?
Duhet të kuptojnë se futbolli nuk është vetëm 3 ose 4 ndeshje në sezon, por futbolli sot kërkon patjetër vazhdimësi. Shpesh lojtarët e rinj nuk e kuptojnë këtë dhe nisin të mendojnë me përgjegjshmëri vetëm pasi kanë kaluar momente të vështira. Ndaj u bëj thirrje të gjithë të rinjve të përfaqësueses që të jenë të kujdesshëm dhe të ndihen të privilegjuar që veshin fanellën kuqezi.

Udhëtim sfilitës, sot stërvitja e parë në Spanjë
Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje rreth orës 18:00 të pasdites në qytetin e La Korunjës në Spanjë. Ka qenë një udhëtim i lodhshëm për kuqezinjtë, të cilët janë nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” që në 06:00 të mëngjesit të së hënës me destinacion Milanon në Itali dhe më pas Madridit në Spanjë. Nga kryeqyteti spanjoll më pas është udhëtuar me një tjetër avion deri në La Korunja, për t’u akomoduar në hotel “Atika”. Ky i fundit ndodhet në hyrje të qytetit të La Korunjës dhe është afër qendrës stërvitore ku skuadra do të zhvillojë stërvitje deri më 6 shtator. Sot do të kryhet edhe seanca e parë nën drejtimin e Xhanit De Biazit, ndërkohë që dje deri në mbrëmje kishin mbërritur të gjithë lojtarët e grumbulluar për ndeshjen me Portugalinë. Mësohet se nesër ose pasnesër skuadra mund të zhvillojë një ndeshje miqësore me një prej skuadrave të Ligës së Tretë vendëse. Gjithsesi, kjo ende nuk është konfirmuar nga stafi kuqezi.

288 Shikime Gjithsejt 1 Shikime Sot

Reklama Juaj Ketu 6
Reklama Juaj Ketu 7